MAShT shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

01 Qershor 2017

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar sot një aktivitet me fëmijë të disa shkollave për të shënuar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në këtë takim me fëmijët u promovua edhe Pakoja me udhëzues për mbrojtjen e fëmijëve në internet, e cila synon përdorimin e TIK-ut në mënyrë të dobishme dhe të përgjegjshme, sigurinë në internet (mbrojtjen dhe rreziqet online), si dhe vetëdijësimin për ndikimet negative nga keqpërdorimi i internetit.

Fëmijët i përshëndeti zëvendësministri i Arsimit, z. Mevludin Krasniqi, i cili i uroi ata për ditën e tyre dhe po ashtu uroi që dikush nga këta fëmijë një ditë të zërë pozita të rëndësishme në udhëheqjen e shoqërisë. Ai theksoi se MAShT por edhe gjithë shoqëria po punon pandalur që të sigurojë jetë më të mirë për ta dhe t’i mbrojë nga rreziqet që mund t’ju vijnë, përmes programeve të shumta, e në këtë rast edhe përmes këtyre udhëzuesve.



Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në MAShT, theksoi se materialet që përmbanë Pakoja (e cila do të shpërndahet në shkolla), i udhëzon fëmijët se si ta përdorin internetin për arsye edukative dhe ju ndihmon jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve dhe mësimdhënësve.

Ndërsa, Mimoza Hasani, zyrtare për të drejtat e fëmijëve në MAShT prezantoi përmbajtjen e udhëzuesve dhe i këshilloi fëmijët që gjithmonë ta përdorin internetin në bashkëpunim me prindërit dhe mësimdhënësit.