MASHT

Marrëveshje Bashkëpunimi për qëndrueshmëri financiare të Kolegjit IBCM në Mitrovicë

12 Prill, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe drejtori i organizatës ndërkombëtare “SPARK”, z. Yannick Du Pont, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi, me të cilën do të sigurohet qëndrueshmëria financiare për Kolegjin e Biznesit Ndërkombëtar në Mitrovicë (IBCM).

Ministri Bajrami, me këtë rast, falënderoi edhe partnerët nga shtetet që kanë kontribuar për arritjen e kësaj Marrëveshje dhe uroi që Kolegji IBCM të arrijë pritshmëritë e MAShT dhe të jetë konkurrent dhe institucion i rëndësishëm i arsimit të lartë në Kosovë.

Kjo Marrëveshje vjen si rezultat i investimeve të përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe disa ambasadave në Kosovë, në mbështetje të diversitetit etnik në fushën e arsimit.

Marrëveshja siguron financim 5 vjeqar nga MAShT për funksionimin e Kolegjit IBCM, në mënyrë që të zhvillohet dhe si institucion gjithpërfshirës, të nxjerrë nëpunës civil profesional të rinjë dhe udhëheqës biznesi në rajonin e Mitrovicës, të trajnuar dhe mësuar që të punojnë në ekipe shumëetnike për tregjet e Kosovës, regjionit, dhe ato evropiane.



Marrëveshja parasheh që Kolegji, për periudhën sa zgjatë kjo marrëveshje, t’i raportojë MAShT-it në baza vjetore për sukseset, të arriturat dhe për gjithçka që parasheh kjo marrëveshje, përfshirë këtu edhe raportin financiar.

Kjo Marrëveshje do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.