MASHT

Kryeparlamentari Krasniqi dhe ministri Buja mbajtën ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Edukimit për Konferencën e Rambujesë

16 Maj, 2011

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja mbajtën sot ligjëratë para studentëve dhe mësimdhënësve të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës në lidhje me Konferencën e Rambujesë të vitit 1999, ku edhe kryeparlamentari Krasniqi, edhe ministri Buja ishin pjesëmarrës.

Ata shpalosën detaje rreth udhëtimit për pjesëmarrje në këtë konferencë të parë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, si dhe detaje rreth punës dhe organizimit si dhe rezultateve të arritura në këtë ngjarje të rëndësishme të asaj kohe.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi theksoi se është prej atyre që pavarësinë e Kosovës e sheh si një fitore të madhe për brezin e tij. “Jam krenar për këtë realizim që e ka bërë populli im dhe gjenerata ime, por, gjenerata e re do të kenë kërkesa të reja, siç kërkesat e mija janë tepër larg nga kërkesat që i ka pasur brezi i prindërve të mi”, u shpreh ai.

Ideali im, tha kryeparlamentari Krasniqi, ka qenë çlirimi dhe bashkimi i trojeve të pushtuara të Shqipërisë, krijimi i një shteti dhe i një kombi, siç ka qenë kërkesë e rilindjes kombëtare për një gjuhë, për një komb për një shtet.

“Për mua, Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, është një fitore e madhe e brezit tonë që ka hapur perspektiva për një pjesë të madhe të kombit tonë, prandaj ne duhet ta fuqizojmë këtë që e kemi për të arritur fitore të reja”, tha ai.

Ministri Ramë Buja, shpalosi detaje interesante rreth udhëtimit të tyre, si ushtarë dhe udhëheqës të luftës për në Rambuje, ku do të mbahej konferenca dhe organizimin e delegacionin kosovar brenda kështjellës së Rambujesë. Por, ai nuk la pa përmendur edhe skeptikët dhe kritikuesit e rezultateve të arritura në këtë konferencë, respektivisht nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë.

Konferencën e Rambujesë, ministri Buja, e vlerësoi si shumë të rëndësishme për rrjedhat e mëtutjeshme në realizimin e pavarësisë së Kosovës.

“Jam i bindur se Konferenca e Rambujesë hapi portat për të realizuar lirinë e sotme.
Kishim një synim dhe një bindje që në Rambuje nuk realizojmë pavarësinë e Kosovës, por në Rambuje do të realizojmë legjitimimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe legjitimimin e delegacionit, që ishte tashmë i barazuar me delegacionin e pushtuesit dhe këtë e realizuam në tërësi”, tha ministri Buja, i cili shprehu bindjen e tij se Konferenca e Rambujesë është portë e hapur për të realizuar krejt këto faza dhe për të arritur këtu ku jemi sot.

Kryeparlamentari Krasniqi dhe ministri Buja, në fund të ligjëratës, iu përgjigjën edhe shumë pyetjeve të studentëve, të cilët kërkuan mendimin e tyre përveç Konferencës së Rambujesë, edhe për luftën e UÇK-së dhe rolin e saj para dhe pas luftës.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.