MASHT

KQSHM ka publikuar rezultatet e Maturës 2011 provimin e kaluan 10757 maturantë

15 Qershor, 2011

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, në një konferencë për media, ka publikuar rezultatet e testit të maturës. Provimit i janë nënshtruar gjithsejtë 25973 maturantë, prej të cilëve kanë kaluar testin 41.96%.

Testi ka qenë i hartuar në 5 gjuhë, ku sivjet për herë te parë kemi edhe maturant te komunitetit serb.

Maturës Shtetërore i janë nënshtruar 25973 maturantë, por KQSHM publikoi rezultatet për 25721 maturantë, prej të rezultat kanë arritur 10594 maturantë, apo 41.96% e numrit të përgjithshëm.

Për shkak të parregullsive të evidentuara nga komisioni qendror, ne qendrën nr. 1 te gjimnazit te Deçanit, të shtunën – 18 qershor, do të përsëritet provimi i maturës për 252 maturantë.

Kryetari i KQSHM-së njëherësh Zëvendësministër i Arsimit, Nehat Mustafa , theksoi se Provimi i Maturës 2011 ishte i suksesshëm për faktin se janë nxjerrë rezultatet më reale deri më tani në këtë test të dijes.
“Nuk është ulje e cilësisë në arsim, por do thoja që është rezultat i një forme të re të vlerësimit dhe organizimit të provimit, dhe se përcaktimi ynë që testin ta mbajmë në hapësira të mëdha ishte me vend, kjo për faktin se është minimizuar mundësia e ndërhyrjes nga jashtë dhe e ndikimit të administruesve në plotësimin e testit. Por, si një dobësi e evidentuar e këtij organizimi ka qenë numri i madh i nxënësve në një hapësirë, të cilën do ta përmirësojmë vitin e ardhshëm duke përgjysmuar numrin e maturantëve dhe duke rritur numrin e administruesve dhe monitoruesve,- është shprehur kryetari Mustafa.

Ndërkaq, prorektori për Mësim në Universitetin e Prishtinës, Bajram Berisha i cili është një ndër anëtarët e KQSHM-së këtë vitë, ka thënë se UP-ja është angazhuar në këtë proces, duka ofruar gjithë hapësirat e mundshme për mbajtje të testit si dhe ka angazhuar edhe stafin e tij. Qëllimi ishte që të shohim nga afër se si rrjedh ky proces, sa është i besueshëm rezultati përfundimtar. “Mendojmë se testi është organizuar në nivel të duhur dhe se rezultatet janë të pranueshme apo reale”- theksoi prorektori Berisha, dhe shtoi se, vitin e ardhshëm do të punojmë që pilotimi i sivjetshëm në tri njësi akademike për regjistrimin e studentëve me pikë të maturës, të shndërrohet në nivel universiteti.

Kryetari i KQSHM-së është i shqetësuar për rezultatin e dobët të treguar nga maturantët e shkollave profesionale krahasuar me gjimnaze. Mirëpo, prorektori Berisha ka thënë se kjo ndodhë edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore. Sipas KQSHM-së , maturantët e pakënaqur me rezultatin mund të bëjnë ankesa deri me 21 qershor, ndërkohë që sqarimet do ti marrin ditën e nesërme, pra me 22 qershor.

Sipas të dhënave statistikore, maturantët e gjimnazeve, në këtë afat kanë arritur 57.5% kalueshmëri, ndërsa ata të shkollave profesionale, 25.2%.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.