MASHT

Konferencë përmbyllëse e projektit “Për një shkollë moderne dhe gjithëpërfshirëse”

24 Qershor, 2010

Ministria e Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë dhe Organizata Joqeveritare Italiane CESES, organizuan konferencë përmbyllëse të projektit:  “Për një shkollë moderne dhe gjithëpërfshirëse: Krijimi dhe nisma e Institutit Pedagogjik të Kosovës (IPK)”.
Ky institut, është themeluar nga CESES, në partneritet me Ministrinë e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe me financim të Ministrisë së punëve të Jashtme të Italisë.

MASHT, ka bërë përzgjedhjen e stafit të hulumtuesve shkencorë të IPK-së, ndërkaq CESES përgatitjen profesionale (kurse dhe trajnimeve) në Institutin e Lombardisë (Itali). 
CESES, në Kosovë vepron që nga ditët e luftës ku ndihmoj organizimin zhvillimin dhe më vonë reformimin e arsimit.

Ministri Hoxhaj , ka falënderuar Qeverinë Italiane , Ambasadorin Gifoni dhe Presidentin e CESES-it z Pollianni për kontributin e çmuar që kanë dhënë në themelimin e IPK-së dhe modernizimin e arsimit në Kosovë. “Pa mbështetjen tuaj dhe të partnerëve tjerë ndërkombëtarë, nuk do të kishim suksesin dhe rezultatet e dëshirueshme”.

Më tej Ministri Hoxhaj shtoi se, MASHT mbetet e përkushtuar për gjithpërfshirje në arsim. Ne kemi bërë zgjerimin e hapësirës shkollore, janë siguruar tekste falas për arsimin fillorë, jemi përkujdesur për arsimim të komuniteteve, dhe të nxënësve me nevoja të veçanta. Angazhohemi që të kemi shkollë të shëndetshme dhe të sigurt. Tashmë është hartuar Korniza e Kurrikulumit të ri i cili ofron mundësitë që shkollën memorizuese të shekullit 20 ta shëndrrojmë në shkollë analitike të shekullit 21.

Më tej ministri foli edhe për ndryshimet në ligjin e ri për arsimin parauniversitarë sipas të cilit do të kemi formulë të re të financimit , autonomi programore të shkollave për 20%, arsim parafillor dhe të mesëm të obliguar.
Ndërkaq,”synim yni në të ardhmen është zhvillimi profesional i mësimdhënësve përfshirje sa më e madhe e të rinjve në arsim, rritja e cilësisë dhe krahas kësaj Kosovën ta shndërrojmë në shtet të dijes.” tha në fund ministri Hoxhaj.

Ambasadori Italian në Kosovë Michael Gifoni ndër tjera tha se Instituti Pedagogjik i Kosovës,(IPK) do të jetë në funksion të modernizimit të arsimit në Kosovë. Ata që ndoqën kurset në Itali, do të jenë të aftë të zbatojnë në praktikë njohuritë fituara.

Më tej z. Gifoni bëri një krahasim në mes të historisë së krijimit të shtetit modern të Italisë dhe të Kosovës e cila sipas tij duhet të ndjek një politikë të hapur të arsimimit me synim integrimin në Evropë.

Ndërkaq presidenti i CESES-it, tha se sot po fillon një etapë e re e funksionimit të IPK, i cili i gjason një “anije që do të lundrojë e lirë në detin e arsimit në Kosovën e pavarur”. Ndërkaq autonominë programore të shkollave për 20% e cilësoi si demokratizim të arsimit në frymën e bashkimit evropian. Ai shtoi se “hapja ndaj Evropës në fushën e arsimit është një oksigjen i domosdoshëm për frymëzimin sipas standardeve bashkëkohore të arsimit”.

Në fund Pollianni, kërkoi që MASHT, të caktoi 5 kandidatë që do të përbënin Këshillin e Shkencës të cilët do të dërgoheshin gjatë muajit korrik për aftësim (trajnim) në Itali.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.