MASHT

Komisioni i Ministrisë së Arsimit për Testin PISA 2018 mbajti takimin e radhës

26 Mars, 2018

Komisioni i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për testin ndërkombëtar PISA 2018, në vazhdën e takimeve të rregullta, sot ka diskutuar për përgatitjet finale rreth organizmit të Testit, i cili pritet të fillojë më 11 prill dhe të vazhdojë deri më 5 maj 2018.

Në këtë takim, ku të pranishëm ishin anëtarët e Komisionit për PISA 2018, anëtarë të Kabinetit të Ministrit dhe zyrtarë të Divizionit për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim, u fol për punën e jashtëzakonshme të Komisionit, vizitat e organizuara në shkolla, në të cilat do të organizohet Testi, vizitat në Drejtoritë Komunale të Arsimit, trajnimin e koordinatorëve dhe administratorëve të Testit dhe fletëpalosjet, të cilat gjatë këtyre ditëve do t’u shpërndahen nxënësve.

Komisioni për  PISA 2018 e vlerësoi të nevojshme informimin e nxënësve për seriozitetin që duhet treguar në test, duke mos e neglizhuar atë, në mënyrë që të reflektohet suksesi i përgatitjeve intensive, të cilat janë bërë gjatë këtyre pesë muajve punë. Në takim, gjithashtu, u fol edhe për rëndësinë e angazhimit të prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve, në arritjen e rezultateve reale dhe të besueshme, të cilat do të ndikonin edhe në hartimin e politikave arsimore në të ardhmen.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.