MASHT

Ka filluar punimet tubimi shkencor “ Java e Shkencës”

18 Maj, 2011

Ky aktivitet po mbahet në organizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Departamentit i Shkencës dhe Teknologjisë ku për tri ditë radhazi , hulumtues shkencor vendorë e ndërkombëtarë do të prezantojnë hulumtimet e bëra , shpalosin pikëpamjet dhe idetë e tyre për trendët aktuale të shkencës dhe perspektivën e zhvillimit të saj dhe të ekonomisë së vendit.

Në këtë konferencë, marrin pjesë shkencëtarë eminent vendorë e ndërkombëtarë, të cilët me kumtesat e tyre shpalosin pikëpamjet, idetë për perspektivën e zhvillimit të shkencës e të ekonomisë së vendit.

Në fjalën hyrëse, ministri i Arsimit, Ramë Buja, theksoi përkushtimin e institucionit më të lartë arsimor të vendit për të inkurajuar punonjësit shkencorë në punën e tyre të mundimshme dhe fisnike për të mirën e vendit dhe të njerëzimit.

” Në fokusin tim është cilësia në arsim,por, mendoj se nuk ka mundësi të flasim për cilësinë e arsimit pa qenë e konsoliduar mirëfilli shkenca kosovare , dhe unë besoj në kapacitetet dhe potencialet tuaja shkencore. Gjithsesi, në këtë kontekst duhet të jeni të konsoliduar edhe materialisht,- tha ministri Buja .Unë, vazhdoj ministri, premtoj një administrim të mirë të mjeteve që kemi për shkencën. Kemi disa projekte që kanë konkurruar dhe kam parë se janë projekte të mirëfillta shkencore, uroj që ato të shoqërohen edhe me të tjera, në mënyrë që të kemi më shumë kërkesa të reja për buxhetin e ardhshëm. Nuk mund të ecim përpara në asnjë fushë pa shkencë të mirëfilltë. Unë kam insistuar të hapet shkolla e doktoratës dhe kjo do bëhet në tetor të këtij viti”përfundoi fjalën e tij ministri Buja.

Akademik Mark Krasniqi, ndër tjera tha se duhet të jemi shumë të angazhuar në segmente të ndryshme që të japim kontributin tonë me atribute shkencore për të mirën e Kosovës. Aq më tepër, kur politika serbe është tërbuar dhe ka ngjallë apetitet e veta shekullore, që Kosova medoemos të jetë nën thundrën e Serbisë .
Ne kemi argumente shumë të fuqishme për ekzistencën e shtetit tonë, tani kemi potencialet intelektuale dhe institucionet e duhura që ti prezentojmë këto argumente dhe ta bëjmë këtë me shumë sukses,- tha në fund akademik Krasniqi.

Në emër të Këshillit Kombëtar të Shkencës(KKSH) , të pranishmit i përshëndeti Dukagjin Pupovci, sekretar, i cili rikujtoi nevojën e planifikimit dhe shfrytëzimit të buxhetit për shkencën, duke u bazuar në programin kombëtar të shkencës të aprovuar vitin e kaluar. Më tej, z. Pupovci shtoi se, në botën moderne më shumë insistohet kah zbatimi në praktikë i kërkimeve shkencore se sa kah akumulimi teorik i dijes . Ai më tej theksoi se për shtetet në tranzicion siç është Kosova, është e nevojshme që shteti ta marrë mbi vete përgjegjësinë për financimin e veprimtarive kërkimore shkencore për të krijuar kështu mundësi reale për punë të mirëfilltë kërkimore shkencore, ndërkohë që investimi në njerëz do të ishte investim për një të ardhme të sigurt të vendit .

Konferenca do të vazhdojë punimet siç është planifikuar të enjten dhe të premten në seanca sipas këtyre fushave të hulumtimit shkencor: burimet natyrore; energjia dhe mjedisi, bujqësia dhe sigurimi i ushqimit; projektet ndërkombëtare shkencore dhe mundësia e shkencëtarëve kosovarë për pjesëmarrje në to; hulumtimet shkencore në mjekësi; studimet shoqërore dhe ekonomike; studimet gjuhësore dhe kulturore; studimet historike; hulumtimet shkencore në fushën e edukimit dhe arsimit dhe shkenca, inovacioni dhe transferi i teknologjisë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.