MASHT

Intervistë e ministrit të Arsimit Ramë Buja dhënë gazetës Express

19 Shtator, 2011

Buja: Na keqkuptuan 
Ramë Buja nuk e ka ndërmend ta ndalë punën për korrigjimin e historisë konform kërkesave të Turqisë. Tash thotë se për ndërhyrje në librat shkollorë ka kërkesa edhe nga Komisioni Europian. Sipas tij, kjo çështje është keqkuptuar nga opinioni. Në një intervistë për Express, Ministri i Arsimit flet edhe për moslejimin e lëndës së mësim-besimit dhe shamisë në shkollat publike. E quan të mbyllur këtë çështje.

Express: Ministër, shteti turk ka kërkuar që të ndërrohet libri i historisë. Për çfarë ndërrimesh më saktësisht është fjala? 
Buja: Homologu im turk nuk ka kërkuar të ndërrohen as librat e as historia. Ai i ka përsëritur fjalët e njëjta, të kohës kur unë kam pas një bisedë me ambasadorin turk në fillim të mandatit tim. Edhe atëherë edhe tash e gjithë biseda është zhvilluar konform një kërkesë që e ka bërë Komisioni Evropian për ndryshimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan. Bazuar në këtë kërkesë, ambasadori ka kërkuar që të shikohen librat e historisë edhe të gjeografisë. Krejt kjo, për faktin që aty është botuar gabimisht një hartë që nuk e përfshin territorin kushtetues të Turqisë, është hequr një pjesë dhe është bashkuar një pjesë tjetër.

Express: Pra, kjo nuk qenka kërkesë vetëm e Turqisë, por edhe e Komisionit Evropian. 
Buja: Kjo kërkesë nuk ka qenë vetëm për shqiptarët dhe për turqit, por për të gjithë popujt, veçanërisht ata të Ballkanit, që ta korrigjojnë pjesën e historisë ku ka gjuhë të urrejtjes. Por, pasi pikërisht në kohë kur Turqia vizitoi Kosovën, unë qëllova Ministër i Arsimit dhe u desh dikush që të dalë e të japë llogari për gjithë atë zhurmë që u bë për hiçgjë.

Express: A është kërkuar që të rishikohen edhe tekstet ku flitet për Turqinë, apo vetëm harta? 
Buja: Jo, konform Komisionit Evropian, bazuar në kërkesën që është bërë në vitin 2004, është thënë që vetëm të shihet nëse ka gjuhë të urrejtjes. Por, unë kam thënë shumë herë që edhe shkencëtarët dinë nga pak të rrëshqasin në patetizëm dhe patriotizëm, kështu që mbetet gjithçka të vlerësohet nga komisioni.

Express: Çfarë është duke bërë Komisioni i emëruar nga ju ? 
Buja: Për ta pas në dorë situatën, ne kemi formuar një komision të njerëzve që janë gjeografë, historianë, etnografë dhe albanologë, të cilët e dinë pozicionin se ka gjuhë të urrejtjes apo edhe nëse ka ndonjë element aty që duhet hequr. Ky komision ka qenë një herë në Turqi, ku ka pas takim me komisionin e atij shteti. Por, ne akoma nuk kemi ndonjë raport ku thuhet se ka fyerje apo diçka tjetër për të cilën Turqia kërkon ndryshim të librit. Prandaj deri në këtë raport, ne nuk kemi nevojë të konfirmojmë asnjë gjë, nëse ka apo nuk ka diçka fyese. Por, krejt kjo çështje pastaj u politizua tej mase, madje ndonjëherë them se edhe u banalizua. Krejt kjo, për faktin që homologu im nuk kërkoi ndërrimin e historisë, por vetëm kërkoi që të shihet mundësia që nëse ka gjuhë të urrejtjes në libra apo ndonjë element që krijon diçka të tillë, të hiqet. Ajo që është thënë në konferencën për media, është thënë edhe brenda në takimin që unë kam pas me ministrin turk, asnjë gjë më shumë.

Express: A mund t`i bëni publikë disa emra të historianëve dhe gjeografëve të këtij komisioni, të cilin ju po e përmendni? 
Buja: Emrat nuk i kemi bërë publikë, sepse anëtarët mund të trazohen, jo për tjetër gjë. Por, këta emra do të bëhen publikë në momentin kur ata të sjellin një raport elementar. Preferoj që gjithçka të mbetet kështu siç është.

Express: Nëse kërkesa e korrigjimit të librave do të duhet të ndodhë, a do t`i kushtojë kjo ministrisë? 
Buja: Te hartat, nëse unë nuk gaboj, janë bërë disa korrigjime. Kurse sa i përket pjesëve tjera të librit, unë nuk besoj se duhet të shtohen financat sepse në fakt po të ishte alarmante kjo gjë që duhet patjetër të ndryshohet diçka, komisioni deri tash do të më kishte raportuar.

Express: Si i vlerësoni deklaratat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, jeni akuzuar se MASHT dhe Qeveria po ndryshojnë historinë e popullit shqiptar? 
Buja: Unë nuk do të doja që të bëj koment për këtë gjë. Kjo pasi Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë ka dhënë komentin e saj zyrtar. Sidomos unë personalisht nuk dua të flas fare për ato reagime, sepse nuk kam dëshirë që të përdor gjuhën të cilën e kanë përdorur ata. Por, opozita mbase është kujdestare e këtyre gjërave. Prapëseprapë do të kisha dëshiruar që të gjitha pjesët opozitare të jenë më racionalë e më të argumentuar, nëse pretendojnë seriozisht ta marrin pushtetin, sepse kështu vetëm po i bëjnë dëm vetes.

Express: Njëjtë sikurse çështja e librave, debat dhe reagime të shumta pati edhe çështja e lejimit të shamive dhe futjes së mësim-besimit nëpër shkollat publike. Si e vlerësoni mosmiratimin e amandamenitit të propozuar nga koalicioni për Kosovë të Re, për mësim-besim? 
Buja: Unë kam pritur në takim pjesën e asaj partie që ka kërkuar me këmbëngulje që ta amandamentojë nenin 78 të Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm, me të cilin ata kanë kërkuar që të futet në shkollë mësim-besimi dhe kjo pjesa e uniformës fetare. Kështu është bërë, ky ligj u aprovua, por pa amendamentin 78. E unë si pjesë e ekzekutivit tash jam i obliguar ligjërisht që të zbatoj atë që është aprovuar në Kuvend, pasi kështu kanë vendosur deputetët.

Express: Udhëzimi Administrativ që ndalon bartjen e shamive nëpër shkolla, ka hyrë në fuqi në kohën kur Ministër i Arsimit para jush ka qenë Enver Hoxhaj. A keni tentuar ju ndonjëherë ta shfuqizoni këtë udhëzim? 
Buja: Jo. Unë kam pritur që të hyjë njëherë ligji në fuqi, ai ligj që tanimë veç është bërë, është nënshkruar nga Presidentja. Tash ne këtë ligj do ta botojmë si libër të veçante, në mënyrë që ta ketë secili që e dëshiron e pastaj ne do bëjmë, nëse ka nevojë, ndryshimet e caktuara.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.