Flet për “Epokën e re”, Arsim Bajrami

31 Gusht 2015

Prioritet, ngritja e cilësisë në arsim Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka bërë me dije se më 1 shtator do të nisë viti i ri shkollor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Ai ka thënë se gjatë këtij viti synohet ngritja substanciale e cilësisë në arsim dhe, sipas tij, sindikalistët në vend të protestave për paga, duhet të protestojnë për cilësi. Bajrami ka vlerësuar se Kontrata Kolektive është realizuar në të gjitha segmentet. Ai ka premtuar se asnjë maturant nuk do të mbetet pa përfshirje në arsimin e lartë. Bajrami e konsideron të arritur të madhe që kalimi i provimit të maturës dhe regjistrimet në fakultete po bëhen sipas meritave. Ai ka folur edhe për funksionimin e universiteteve të reja publike, për të cilat ka thënë se duhet të profilizohen, specializohen dhe të lidhen me tregun e punës nëse duan të mbijetojnë

Shqipe HETEMI 

Prishtinë, 30 gusht - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë të dielën se prioritet gjatë këtij mandati do ta ketë ngritjen e cilësisë në arsim. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka premtuar se gjatë këtij viti do të ketë ngritje substanciale të cilësisë së mësimit nëpërmjet ngritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies. “Ngritja e cilësisë në arsim është i vetmi prioritet i imi gjatë këtij mandati. Prandaj, mendojmë ta nisim këtë cikël të angazhimeve tona për ngritjen e cilësisë, pikërisht nga 1 shtatori, ku do të punojmë me të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, duke u angazhuar maksimalisht për ngritje substanciale të cilësisë në arsim”, ka deklaruar Bajrami, duke bërë me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të suksesshëm të vitit shkollor. Nesër më 1 shtator (e martë) do të fillojë viti shkollor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme”, ka treguar ai. 
Në këtë kontekst, Bajrami ka vlerësuar se Kontrata Kolektive është realizuar në të gjitha segmentet dhe, sipas tij, profesioni i mësimdhënësit relativisht paguhet mirë dhe është më i kërkuari në treg. “Absolutisht nuk ka një pozitë të diskriminuar të punëtorëve të arsimit. Në arsimin e lartë profesorët kanë paga më të mira sesa shumë kolegë të rajonit”, ka theksuar Bajrami. Ministri ka premtuar se asnjë maturant nuk do të mbetet pa përfshirje në arsimin e lartë. Ai e konsideron të arritur të madhe që kalimi i provimit të maturës dhe regjistrimet në fakultete po bëhen sipas meritave. “Tanimë në Ministrinë e Arsimit kemi ndërtuar një standard që matura, pranimet në fakultete, të bëhen vetëm me merita. Ka kaluar koha që dikush do të mund të regjistrohet pa meritë”, ka deklaruar ai.
Bajrami ka folur edhe për funksionimin e universiteteve të reja publike, duke thënë se Ministria e Arsimit është duke punuar në mënyrë që këto universitete në një afat kohor të profilizohen, të specializohen dhe të lidhen me tregun e punës nëse duan të mbijetojnë në skenën e arsimit të lartë. 

Ngritja e cilësisë në arsim, prioritet gjatë këtij mandati 

“Epoka e re”: Z. ministër, sa janë bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e viti të ri shkollor?
Bajrami: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të suksesshëm të vitit shkollor. Nesër më 1 shtator (e martë) do të fillojë viti shkollor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës. Këtë vit shkollor e nisim me moton për të siguruar ngritje substanciale të cilësisë. Pra, ky është një vit në të cilin Ministria e Arsimit promovon konceptin e shkollave cilësore. Ne jemi të vendosur që gjatë këtij viti shkollor nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit të ndjejnë një ngritje substanciale të cilësisë së mësimit nëpërmjet ngritjes së cilësisë së mësimdhënies, mësimnxënies nëpërmjet projektit të shkollave të reformuara, moderne dhe digjitale. Tani, pas nëntë muajve punë të pandalshme në stabilizimin e trendit të arsimit, kemi vendosur që ky vit shkollor, nga 1 tetori edhe viti i ri akademik të jetë një vit ku në mënyrë substanciale do të ngrihet cilësia. 

“Epoka e re”: Pra, prioritet do të jetë ngritja e cilësisë në arsim?
Bajrami: Ngritja e cilësisë në arsim është i vetmi prioritet i imi gjatë këtij mandati. Një reformë e suksesshme në arsim do të mund të quhet e tillë vetëm nëse rezulton me një cilësi të re në arsim, cilësi në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Prandaj, mendojmë ta nisim këtë cikël të angazhimeve tona për ngritjen e cilësisë pikërisht nga 1 shtatori, ku do të punojmë me të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit duke u angazhuar maksimalisht për ngritje substanciale të cilësisë në arsim.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfidues arritja e këtij objektivi, meqë vazhdimisht ka pasur akuza për rënie të cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet?
Bajrami: Jemi të vendosur të shkojmë me realizimin e këtij projekti sepse kemi për obligim të krijojmë një shkollë të fortë dhe një arsim të lartë cilësor. Jemi duke punuar me 30 mijë mësimdhënës të ciklit parauniversitar që t’i reformojmë dhe t’i promovojmë metodat e reja të mësimdhënies, t’i rishikojmë kurrikulat dhe tekstet shkollore në mënyrë që vërtet mësimdhënia të jetë cilësore. Gjithashtu, kemi punuar edhe me nxënësit për t’iu përshtatur metodave të reja të mësimdhënies. Kështu që, po presim përkrahje dhe vetëdijesim nga të gjitha partitë politike sepse ky nuk është projekt i një ministri apo një qeverie, por është projekt i popullit të Kosovës i cili ka të drejtë të ketë një edukim dhe arsimim të avancuar.  

“Epoka e re”: Por për ta realizuar këtë synim duhet të jetë prioritet i qeverisë?
Bajrami: Mendoj se arsimi duhet të jetë prioriteti numër dy kombëtar. Pra, menjëherë pas punësimit dhe zhvillimit ekonomik, shteti ynë duhet të investojë në arsim sepse krijimi i një sistemi arsimor cilësor është parakusht edhe për cilindo përparim të shtetit. Duhet të vetëdijesohemi për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të edukimit, duhet ta rrisim buxhetin për arsim dhe duhet të investojmë në arsim, në mënyrë që kësaj rinie t’i krijojmë një arsim cilësor meqë 2/3 e popullsisë së Kosovës janë të ri dhe në sistemin arsimor kemi gati gjysmën e popullit të përfshirë.  

Profesioni i mësimdhënësit paguhet relativisht mirë

“Epoka e re”: Më herët SBASHK-u ka paralajmëruar se në rast se nuk do të zbatohet Kontrata Kolektive, mund të ketë greva dhe, si pasojë, të mos fillojë mësimi më 1 shtator. A ka rrezik për një gjë të tillë apo janë tejkaluar problemet? 
Bajrami: U bëj ftesë sindikatave, shoqatave dhe organizatave joqeveritare, që sivjet ta zëvendësojnë agjendën, pra në vend të protestave për paga, të përgatiten apo të organizojnë protesta për cilësi në arsim. Kërkoj nga liderët e sindikatave që këtë vit të koncentrohen për ta monitoruar cilësinë në arsim dhe ta mobilizojnë një masë kritike dhe të pakënaqësisë nëse nuk vërejnë një ngritje substanciale të arsimit. Kështu që, Kosova nuk ka më nevojë për agjenda sezonale të protestave. Sindikatave dhe organizatave joqeveritare do t’u kërkojmë ta monitorojnë cilësinë në arsim dhe eventualisht, së bashku me ministrin, të organizojnë protesta nëse cilësia e arsimit nuk është e kënaqshme. 

“Epoka e re”: A ka gjasa reale të zbatohet në tërësi Kontrata Kolektive?
Bajrami: Kontrata Kolektive është realizuar në të gjitha segmentet e mundshme dhe pozita materiale e punëtorëve të arsimit është pozita që është zgjidhur më së miri në Republikën e Kosovës. Profesioni i arsimtarit, mësimdhënësit dhe edukatorit është profesioni më i kërkuar në tregun e Kosovës dhe i paguar relativisht mirë. Kështu që, arsimtarët mësimdhënës po e ndajnë fatin me punëtorët e tjerë dhe absolutisht nuk ka një pozitë të diskriminuar të punëtorëve të arsimit. Në arsimin e lartë profesorët kanë paga më të mira sesa shumë kolegë të rajonit dhe tani ne duhet t’i meritojmë këto paga me punë cilësore dhe me rezultate konkrete. 

Universitetet publike të punojnë nëse duan të mbijetojnë 

“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me funksionimin e universiteteve publike në gjithë vendin?
Bajrami: Sa iu përket universiteteve publike dhe fillimit akademik më 1 tetor, Ministria e Arsimit është e gatshme të koncentrohet plotësisht në një koncept të ri të universiteteve. Kemi paraparë disa objektiva në arsimin publik që lidhen me tri segmente. E para është ligjshmëria, e dyta standardet akademike, e treta orientimi drejt tregut të punës. Kemi shtatë universitete publike dhe Ministria e Arsimit është duke punuar në mënyrë që këto universitete në një afat kohor të profilizohen, të specializohen dhe të lidhen me tregun e punës nëse duan të mbijetojnë në skenën e arsimit të lartë. Do të kërkojmë që pas emrit universitet të ndërtohen standarde të qëndrueshme dhe tani të gjithë e kanë të ditur se duhet të lëvizin në drejtim të kërkesave, konkurrencës dhe tregut të punës, në mënyrë që të krijojmë një sistem të arsimit të lartë funksional dhe të qëndrueshëm, i cili lidhet me ekonominë e tregut dhe zhvillimin ekonomik. 

“Epoka e re”: Megjithatë, ka pasur probleme në disa prej këtyre universiteteve sa i përket emërimit të anëtarëve të këshillave drejtues. Çfarë do të bëni në këtë drejtim? 
Bajrami: Mendoj se problemet në universitet janë qetësuar. Nga ky vit ne i kemi stabilizuar trendët. Nuk ka më në universitet protesta dhe kemi vendosur rend, rregull dhe ligjshmëri. I kemi konsoliduar universitetet në themelim dhe tani shumica prej tyre kanë ndërtuar marrëveshje me UP-në. Jemi në fazën e zgjedhjes së menaxhmentit të ri dhe gjithçka po shkon mbi bazën e standardeve ligjore dhe akademike. 

Asnjë maturant nuk do të mbetet pa përfshirje në arsimin e lartë

“Epoka e re”: Ministër, a pritet në afatin e dytë të rritet numri i studentëve nëpër universitetet publike?
Bajrami: Garantoj se asnjë maturant nuk do të mbetet pa përfshirje në arsimin e lartë meqë kemi mundësi më të mëdha sepse kemi shtatë universitete publike dhe 25 kolegje private. Prandaj, secili maturant do të ketë qasje në arsimin e lartë. Natyrisht, orientimi i maturantëve duhet të bëhet sipas cilësisë dhe sipas konkurrencës. Është e rëndësishme që kemi siguruar një sistem të arsimit të lartë gjithëpërfshirës. Cilitdo që ka dëshirë do t’i jepet mundësia e qasjes.  

BOX: 

Bajrami: Ka kaluar koha që dikush të regjistrohet pa meritë

“Epoka e re”: Të shtunën është mbajtur afati i dytë i provimit të maturës. Si ka shkuar ky proces dhe a prisni rezultate pozitive?
Bajrami: E kemi ndërtuar standardin e një mature të suksesshme. Ky është një vlerësim i përgjithshëm i të gjithë njerëzve të përfshirë në maturë, i drejtorëve të shkollave, drejtorëve komunalë, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve. Kjo ka qenë një ndër maturat më të mira që është organizuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Ka funksionuar kodi moral i sjelljes dhe përgjegjësia. Prandaj, disa eksese minore, të cilat më shumë janë parë nëpër portale sesa në terren, nuk mund ta zbehin vlerësimin e përgjithshëm, se kjo maturë ka qenë cilësore dhe është organizuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Tanimë në Ministrinë e Arsimit kemi ndërtuar një standard që matura, pranimet në fakultete, të bëhen vetëm me merita. Ka kaluar koha që dikush do të mund të regjistrohet pa meritë. Është një e arritur e madhe që kalimi i provimit të maturës dhe regjistrimet në fakultete po zhvillohen vetëm mbi bazën e parimit të meritave. U bëj thirrje më tepër së gjysmë milion nxënësve dhe studentëve, më tepër se 30 mijë mësimdhënësve të arsimit parauniversitar dhe të gjithë prindërve, ta japin maksimumin që ky vit shkollor të jetë i ngritjes së cilësisë. Ky është një obligim dhe detyrim yni i përgjithshëm, në mënyrë që të krijojmë një sistem cilësor të arsimit dhe edukimit i cili pastaj krijon mirëqenie, stabilitet dhe shtet demokratik.