MASHT

Filloi trajnimi i mësimdhënësve për programin “Mbrojtja e fëmijëve në internet”

20 Mars, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon trajnimin e mësimdhënësve për programin “ Mbrojtja e fëmijëve në internet”. Në ceremoninë e hapjes zyrtare të trajnimit, fjalë rasti mbajtën zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti dhe Jan Braathu, kryesues i OSBE-së në Kosovë, të cilët thanë se, Kosova është një ndër vendet prijëse që është duke i dhënë hapësirë kësaj teme.

Zëvendësministri Sahiti tha se, në mënyrë që fëmijët tanë të dinë të dallojnë dobitë dhe rreziqet që sjellë interneti, Ministria e Arsimit brenda detyrimeve ligjore dhe institucione është angazhuar që të ngritë çështjen e mbrojtjes së fëmijëve brenda shkollave.

Zv/ministri Sahiti theksoi se shkollat duhet të zhvillojnë idenë e mbrojtjes dhe sigurisë në internet, duke ndërgjegjësuar dhe edukuar nxënësit tanë se si të përdorin internetin në mënyrë të duhur dhe si të promovojnë sjelljet e shëndosha, duke iu shmangur rreziqeve të cilat mund të cenojnë zhvillimin e tyre intelektual, emocional dhe social.

“Sot kur në vendin tonë dhe në nivel global kemi zhvillime të hovshme të teknologjisë informative, aq sa sjellë dobi në edukim, arsim, punë dhe jetë, po aq bartë rreziqe të shumta të cilat mund ta atakojnë secilin individ dhe secilën shoqëri. Fëmijët tanë janë mjaft të përgatitur në shfrytëzimin e pajisjeve digjitale, mirëpo ata shpesh herë nuk dinë cilat programe janë të mira për ta, nuk dinë të mbrojnë privatësinë e tyre dhe nuk i dallojnë porositë e mira dh të këqija, me të cilat janë të rrethuar çdo ditë ”, tha zëvendësministri Sahiti.

Zv/ ministri Sahiti, tha që përveç që kjo tematikë të jetë pjesë e kurrikulave të reja, MAShT ka hartuar materiale të rëndësishme për nxënës, mësimdhënës dhe prindër, ashtu që të kemi një përdorim të sigurtë të internetit, në dobi të arritjeve maksimale të nxënësve në shkollat tona.

Ndërsa, Jan Braathu, kryesues i OSBE-së në Kosovë tha se, hartimi i librave për mbrojtjen e fëmijëve në internet është një hap i mirë që është bërë në Kosovë. Baethru tha se Kosova ka një popullsi të re dhe ka një depërtim të madh të internetit, përdorues të të cilët janë mosha 8-19 vjet. “Interneti është mjet shumë i rëndësishëm i informacioneve, por mund të jetë edhe i rrezikshëm”, tha Baathru.

Trajnimi i mësimdhënësve për programin “ Mbrojtja e fëmijëve në internet” i cili ka filluar sot do të zgjatë edhe në dy ditët e ardhshme dhe pritet që në të ardhmen të shtrihet në gjithë Kosovën.

Last modified: 24 Gusht, 2022

Comments are closed.