Filloi punimet Konferenca vjetore “Java e shkencës 2018"

15 Maj 2018

Ka filluar punimet Konferenca jubilare „Java e shkencës 2018“, e cila pasqyron të arriturat e Kosovës dhe rajonit në fushën e shkencës për periudhën njëvjeçare. Punimet e kësaj Konference do të zhvillohen në seanca të ndara në të cilat do të prezantohen punimet hulumtuese-shkencore edhe në tri ditët e ardhshme 16, 17 dhe 18 maj 2018.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në fjalën e tij të hapjes uroi pjesëmarrësit të cilët me veprimtarinë e tyre hulumtuese-shkencore do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri Bytyqi tha se „Java e shkencës“ paraqet rrjetëzim të shkencëtarëve të rinjë nga Kosova dhe rajoni, të cilët po na bëjnë krenarë me paraqitjen e tyre çdo herë e më cilësore.

 

„Është shënuar rritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes. Në vitin 2017 kishte rreth 320 autorë dhe bashkautorë nga shtatë vende të rajonit dhe Evropës. Masivizimi i tillë ka realizuar qëllimin e parë, ndërsa këtë vit dhe vitet në vijim fokusi do të përqendrohet në rritjen e cilësisë së punimeve shkencore të paraqitura dhe në ndërkombëtarizimin e kësaj ngjarje me vlerat e prezantimit“, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka thënë se, paraqitja dhe prezantimi i punimeve shkencore në të ardhmen do të bazohet në standardet ndërkombëtare, duke shtuar se, kontributi shkencor i kësaj Konference po shënon një ngritje të vazhdueshme vit pas vit, e  cila është arritur me anë të ngritjes së mekanizmave të recensentëve dhe vlerësimeve të Konferencës, si dhe mekanizmave për recensimin e kumtesave të cilat janë pjesë e këtyre prezantimeve.

Ministri Bytyqi po ashtu ka thënë se MAShT-i do të krijojë rrethana mbështetëse për veprimtarinë kërkimore-shkencore, duke përmirësuar bazën ligjore dhe nënligjore dhe ngritur nivelin e financimit të kësaj veprimtarie.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi tha se „Java e shkencës“ ka filluar të organizohet në një rrethanë të re, ndërkaq uroi që puna kërkimore- shkencore e cila prezantohet në këtë Konferencë të jetë në funksion të avancimit të dijes.

„Puna kërkimore dhe shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Prandaj potenciali i juaj njerëzor, shkencor dhe kulturor si studiues, përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset në të cilat po kalon shteti dhe shoqëria“, ka thënë presidenti Thaqi.