Filloi punimet Konferenca ndërkombëtare për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”

01 Dhjetor 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në hapjen e Konferencës ndërkombëtare dyditore për PISA 2018 “Të veprojmë së bashku për arsim më të mirë”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijesimit të nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe të gjitha palëve të tjera, për përmirësimin e performancës së Kosovës në PISA 2018.

Në këtë Konferencë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, ministri Bytyqi tha se, reformat në arsim duhet të sjellin ndryshim pozitiv, jo vetëm në rezultate arsimore, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror dhe si e tillë këtë gjë duhet bërë bashkërisht.

Ministri Bytyqi, me këtë rast ka falënderuar Qeverinë gjermane, e cila ka ofruar përvojat më të mira ndërkombëtare sa i përket Testit PISA, ndërkaq shtoi se MAShT ka mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e cilësisë në arsim.


Ministri Bytyqi, po ashtu ka falënderuar kryeministrin Haradinaj, i cili përmendi shkaqet të cilat kanë quar në performancë të dobët në Testin PISA 2015, e të cilat tha se e bëjnë edhe më përgjegjëse Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit për të marrë masa në ndryshimin e situatës së përgjithshme të arsimit në Kosovë.

“Vërtetë ne kemi shumë gjëra për të bërë dhe jemi të vetëdijshëm se nuk është niveli i duhur i arsimit në Kosovë, por siç jemi sot kështu të gjithë së bashku, do të rrugëtojmë së bashku për të ndryshuar gjendjen e arsimit. Kjo Konferencë  e sotme shënon edhe një hap më tutje drejt rrugëtimit shumëvjeçar për të mundësuar një arsim sa më cilësor për fëmijët tanë”, tha ministri Bytyqi.


Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se, pjesëmarrja në Testin PISA 2015 na e ka mundësuar të shohim se ku jemi në krahasim me vendet tjera, por edhe na ka dhënë një reflektim të jashtëm që të shohim se, cilët janë hapat të cilët duhet të ndërmerren drejt një arsimi më cilësor në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është zotuar se Qeveria të cilën ai e udhëheqë është duke punuar në ndryshimin e gjendjes në arsim, duke qenë se kjo njëherësh është përgjegjësi dhe obligim i qeverisjes së vendit.


Ndërsa, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini tha se, Testi PISA mundëson matjen e arritjeve në arsim dhe hartimin e politikave të përshtatshme arsimore. 

Objektivat kryesore të kësaj konference janë: identifikimi se si PISA mund të shërbejë si motor për të arritur vizionin në të ardhmen, prezantimi dhe diskutimi i sfidave të nxjerra nga PISA 2015 dhe shndërrimi i tyre n ë përparësi për PISA 2018, shkëmbimi i përvojave me përfaqësues të shteteve të tjera Evropiane dhe rajonale pjesëmarrëse në PISA etj.