MASHT

Fakulteti i Edukimit në Prizren do të transferohet në Universitetin e Prizrenit

6 Tetor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova dhe rektori i Universitetit të Prizrenit, Ronald Munch, nënshkruan sot një Memorandum të Mirëkuptimit, me qëllim që të sigurohen parakushte që Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës – dega në Prizren të transferohet dhe të integrohet në kuadër të Universitetit të Prizrenit.

Të tria këto institucione kanë marrë përgjegjësitë për krijimin e mundësive që hapësirat universitare, pajisjet, programet e studimit, studentët, personeli (akademik dhe administrativ) dhe gjithçka tjetër në dispozicion të Fakultetit të Edukimit në këtë qendër, të transferohet dhe të integrohet në kuadër të Universitetit të Prizrenit.

Ministri i Arsimi, Enver Hoxhaj këtë ditë e vlerësoi si shumë veçantë, dhe një ngjarje të madhe për Prizrenin dhe Kosovën, duke e theksuar në veçanti faktin se ndodhet përballë dy rektorëve, të UP-së dhe atij të UPz-së.

“Kjo është marrëveshje shumë e rëndësishme për Universitetin e Prizrenit, i cili prej sot Fakultetin e Edukimit që ka qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës do ta ketë pjesë të tij. E di që ka qenë një kërkesë e kahershme e stafit akademik, ka qenë një kërkesë e kahershme studentëve dhe një proces i natyrshëm në vendimin e Qeverisë të marrë me rastin e themelimit të Universitetit të Prizrenit, është paraparë që Universiteti të ketë edhe Fakultet i Edukimit”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri, ndër të tjera, bëri të ditur se MASHT dhe dy universitetet, do të formojnë një komision të veçantë për implementimin e këtij memorandumi të mirëkuptimit.

Ndërsa, ai përmendi rritjen e numrit të studentëve në Republikën e Kosovës dhe tha se ky numër do të rritet edhe më tej, pasi që “qëllimi jonë është që ta shndërrojmë Republikën e Kosovës në shtet të dijes”

Mujë Rugova, rektor i Universitetit të Prishtinës theksoi se për këtë vendim kanë vendosur të gjitha organet përkatëse të UP-së. Ai tha se mbështetja e Universitetit të Prishtinës ndaj atij të Prizrenit do të vazhdojë edhe më fuqishëm, si një vatër e re që është hapur në shkollimin superior. “Me këtë po fuqizojmë Universitetin e Prizrenit që në fillim. Si me kuadër ashtu edhe me programe të UP-së që janë mbajtur në Prizren dhe në anën tjetër Universitetin të Prizrenit i jepet një mbështetje për tu ngritur me programe tjera”, ka shtuar Rugova.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prizrenit, Ronald Munch, tha se Marrëveshja e mirëkuptimit është garanci për vazhdimin e mbijetesës së këtij fakulteti në Universitetin e Prizrenit. “Për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ka dhe do të ketë rol të veçanet për Fakultetin e Edukimit. Ditë të mira do të ketë ky fakultet nën Universitetin e Prizrenit”, theksoi Munch.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.