MASHT

EKSPERTI NDËRKOMBËTAR I ARSIMIT TË LARTË JAMIL SALMI, MBAJTI NJË LIGJËRATË NË BKUK

2 Qershor, 2010

Jamil Salmi, ekspert ndërkombëtar për arsimin e lartë, ka mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK), një ligjëratë me temën “Ndërtimi i shoqërive të dijes: sfidat e reja për arsimin terciar”.

Para shumë ekspertëve, udhëheqësve të institucioneve arsimore, profesorëve dhe studentëve, Salmi ka folur për praktikat e ndryshme botërore dhe arritjet apo avancimet e dijes në shoqëri të ndryshme.

Salmi vlerësoi se Kosova e ka shansin që të ndërtohet si shoqëri e bazuar në dije. “Ju do ta zhvilloni ekonominë tuaj të dijes, mirëpo për këtë ju duhen njerëz”, tha ai, ndërsa theksoi se universitetet duhet të jenë shtylla kryesore e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Në këtë kontekst, sipas tij, Qeveria duhet të bëj të gjitha përpjekjet që të ketë buxhet të shtuar, edhe pse ai tha se, kjo nuk mjafton gjithmonë, prandaj është e rëndësishme pjesëmarrja e kapitalit privat.

Sipas tij, sfidat kryesore në arsimin e lartë në Kosovë do të jenë: sigurimi i cilësisë dhe financimi, fleksibiliteti ndaj nevojave gjithnjë në ndryshim të tregut të punës si dhe kreativiteti.

“Ju duhet të vraponi, sepse bota po ndryshon shpejt”, theksoi Salmi, i cili tha se Kosova duhet të ketë vizionin e vet për të ardhmen e vendit, pra edhe të arsimit, dhe jo shtetet apo universitetet tjera t’ia diktojnë të ardhmen.

Ndërsa, në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Bankën Botërore që ka mundësuar mbajtjen e një ligjërate të tillë, nga eksperti Jamil Salmi.

Ministri tha se problemet, të cilat i ka Republika e Kosovës janë probleme reale, të shumta, serioze dhe të cilat duan zgjidhje. “Ato sfida që i ka Republika e Kosovës…janë një dëshmi e fuqishme që duhet ta ndryshojmë sistemin tonë arsimor”, tha ai.

Ministri Hoxhaj përmendi faktin se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, jo vetëm që e ka shpallë arsimin prioritet shtetëror të dorës së parë, por jemi duke bërë përpjekje që ta reformojmë një sistem arsimor, i cili është cilësor dhe i cili është gjithpërfshirës “pasi që jemi të interesuar për më shumë arsim, për më shumë qytetarë dhe në të njëjtën kohë më shumë cilësi në arsimin e lartë dhe ai të lidhet me nevojat e ekonomisë dhe shoqërisë dhe me punën kërkimore shkencore”.

“Për ne si ministri, zhvillimi i resurseve njerëzore është kyq, dhe për ne padyshim edukimi është i barabartë me ekonominë dhe ekonomia është e barabartë me edukim”, tha ai.

Ligjërata e ekspertit të arsimit të lartë, Jamil Samil, zgjoi interesimin e të pranishmëve, të cilët pas hapjes së debatit u interesuan për më shumë detaje të problemeve në kontekstin kosovar.

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.