MASHT

Ditën e dytë të vitit të ri shkollor është përuruar shkolla e re në Bardhosh

2 Shtator, 2010

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, së bashku kanë përuruar shkollën fillore “Andon Zako Çajupi”, në Bardhosh të komunës së Prishtinës.

Në ceremoninë e përurimit, presidenti Sejdiu në fjalën përshëndetëse ndër tjera tha, “është kënaqësi që në këtë fillimviti shkollor po përurojmë objektin e ri të shkollës në këtë fshat të bukur.

Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të sigurojnë hapësira të bollshme shkollore, kushte të mira mësimi dhe kësisoj me angazhim të përbashkët të zëmë kohën e humbur ndër vite.

Uroj që ky vit i mbarë shkollor të jetë vit i suksesshëm, ndërsa MASHT-i dhe komuna e Prishtinës kanë borxh t’ju sigurojnë edhe pajisjen e bibliotekës me lekturë shkollore si dhe të sigurojnë kabinetet moderne për arsim cilësor”.

Ndërkaq, ministri Hoxhaj ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës në Bardhosh për objektin e ri si dhe për fillimin e vitit të ri shkollor ku do të përfshihen rreth 450 mijë nxënës. “MASHT-i mbetet i përkushtuar që në vazhdimësi të sigurojë hapësira dhe kushte të mira mësimi. Në këtë drejtim e kemi edhe përkrahjen e presidentit Sejdiu, i cili ka nderuar këtë ceremoni me pjesëmarrjen e tij, por edhe me përkrahjen që Kosovën ta bëjmë shtet të dijes.

Ky vit do të jetë vit i reformave në arsim, vit ku do të hartohen planprogramet të cilat do të jenë më ta avancuara dhe që sigurojnë parakushte për arsim modern e cilësor.

Ndërkaq, nga një tetori do të fillojmë edhe me procesin e rikualifikimit të mësimdhënësve dhe se këtë proces do ta mbështes Universiteti i Prishtinës.
Uroj që ky vit të jetë vit i mbarë dhe vit i sukseseve”, tha në fund të fjalës së tij ministri Hoxhaj.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.