Bytyqi dhe Nikolla takohen në Tiranë

16 Maj 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi , ka zhvilluar një takim me ministren e Arsimit Shkencës dhe Sportit të Shqipërisë Lindita Nikolla në Tiranë , ku paraqiti disa pika të rëndësishme bashkëpunimi me interes për të dyja vendet për të cilat edhe u dakorduan gjatë këtij takimi.

Ministri Bytyqi dhe Ministrja Nikolla u dakorduan për krijimin e një trupe të përbashkët për njohjen e profesioneve të rregulluara mes dy vendeve,gjithashtu janë dakorduar edhe për një bashkëpunim më të ngushtë mes instituteve të historisë. Ndërsa lidhur me këtë u planifikua që të organizohet një tryezë e përbashkët  me 10 Qershor në Prizren ,në mënyrë që ky bashkëpunim të fillojë sa më shpejtë dhe me qëllim të harmonizimit dhe  funksionalizimit të të dy instituteve.

Poashtu  ministri Bytyqi dhe ministrja Nikolla, u dakorduan parimisht që me 10 Qershor po në Prizren të organizohet një tryezë  e përbashkët mes rektorëve të universiteteve publike , ku do të diskutohet për programe të rëndësishme por që janë në rrezik mbylljeje në mungesë kuadrosh adekuate.

Ministri Bytyqi dhe ministrja Nikolla , gjithashtu diskutuan edhe për  mundësinë e rritjes së kuotave për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programet e avancuara  në vendet përkatëse.

Temë tjetër e rëndësishme dhe si risi mes dy ministrive u shtrua organizimi i një kampusi veror tradicional për studentët shqiptarë për çka edhe u dakorduan të parët e  e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua edhe për shkëmbim të profesorëve në profile të rëndësishme  që kanë mungesë të dyja vendet.