MASHT

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

30 Maj, 2011

Marrëveshja përfshin aktivitetet në fushën kërkimore-shkencore e artistike për vitet 2011-2013 si dhe veprimtari të ndryshme shkencore, simpoziume, konferenca e të tjera. Kjo marrëveshje në mes dy akademive, u cilësua si një marrëveshje e zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Kortuli dhe nënkryetari i ASHAK-së Akademik , Hivzi Islami. Në këtë ceremoni përveç akademikëve , të pranishëm i shin edhe ministri i arsimit Ramë Buja dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.

Me këtë rast ministri i Arsimit, Ramë Buja, uroj që marrëveshja të implementohet me sukses nga të dy palët, ndërkohë që premtoi mbështetje financiare në suaza të mundësive buxhetore që ka MASHT. Ministri Buja përmendi edhe faktin se, në kuadër të bashkëpunimit shumëdimensional në fushën e arsimit synohet që të hartohet një abetare unike për gjithë shqiptarët .

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, u shpreh optimist për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy akademive, njëherësh tha se ky protokoll bashkëpunimi dyvjeçar përmban veprimtari nga fushat e letërsisë, gjuhësisë, shkencave shoqërore e natyrore dhe të arteve.

Ndërkaq, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, u shpreh, se përveç bashkëpunimeve të tjera që kanë me akademitë e vendeve evropiane, një bashkëpunim më të fuqishëm dhe më të frytshëm kanë me Akademinë e Shkencave të Kosovës. 
“Jemi dy akademi që kemi mirëkuptuar dy tre vitet e fundit mjaft mirë njëra- tjetrën për të bërë ato punë që mund t’i bëjmë së bashku dhe do t’i bëjmë shumë mirë edhe në të ardhmen ” tha z. Beqiraj.

Bazuar në këtë marrëveshje të nënshkruar mes dy akademive shkencore, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, brenda dy viteve do të realizohen veprimtari rreth çështjes së standardizimit të shqipes dhe të terminologjisë, botimi i hartës arkeologjike, fjalorë, konferenca të ndryshme shkencore, sesione, projekte, promovime, shkëmbime të botimeve e të tjera.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.